Mickoski me një seri takimesh në Nju Jork: Integrimi evropian, siguria dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

Advertisement

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Nju Jork zhvilloi disa takime dypalëshe me përfaqësues të lartë, ku u diskutua për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.

 

Gjatë ditës së djeshme, Mickoski u takua me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Në takim u diskutua për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Gjithashtu, u theksua rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt.

Në takimin dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në fokus ishin avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja vendeve.

Mickoski zhvilloi takim dypalësh edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Mickoski u takua gjithashtu me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas. Në takim u diskutuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta për një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Takimet e zhvilluara në Nju Jork, sipas Qeverisë, dëshmojnë përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe me prosperitet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit