Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka deklaruar se në botën e sotme mungon idealizmi, duke nënvizuar se me këtë term nuk nënkupton utopinë, por respektimin e ligjit, drejtësisë, moralit dhe etikës.
Ajo i bëri këto komente gjatë takimit me anëtarët e Këshillit për Sipërmarrjen e Grave në Manastir, ku diskutoi për zhvillimet aktuale globale, rolin e grave dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria.
“Botës sot i mungon idealizmi, dhe kur them idealizëm, nuk kam parasysh utopinë, por ligjin, drejtësinë, moralin dhe etikën”, tha Siljanovska Davkova.
Presidentja u shpreh se pasojat e konflikteve dhe qasjes së bazuar vetëm në “realpolitikë” janë të rënda, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave.
Sipas saj, në përballimin e krizave ndërkombëtare duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi diplomacisë kulturore dhe asaj parandaluese.
Siljanovska Davkova përmendi luftën në Ukrainë, situatën në Gaza dhe zhvillimet në rajonin e Gjirit, duke theksuar se konfliktet krijojnë pasoja afatgjata dhe se qasja diplomatike duhet të ketë rol më të madh në parandalimin e tyre.
“Diplomacia paqësore ose parandaluese është më e mirë se diplomacia reaktive”, deklaroi ajo.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, si dhe kryetari i Këshillit të Komunës, Bojan Bojkovski.






