Arrestohet shoferi pas aksidentit në autostradën Kumanovë–Shkup

Advertisement

Një 65-vjeçar nga Shkupi është privuar nga liria pas aksidentit të rëndë të trafikut në autostradën Kumanovë–Shkup, ku dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u lënduan.

Aksidenti ndodhi më 19 shtator, rreth orës 21:35, në drejtim të Shkupit, në afërsi të fshatit Agaqoj. Në aksident u përfshinë një automjet “Mercedes”, i drejtuar nga M.M. (65) nga Shkupi, dhe një “Opel Corsa”, të cilin e drejtonte S.N. (27), po ashtu nga Shkupi.

Si pasojë e përplasjes, në vendngjarje humbën jetën bashkudhëtarët e “Opel Corsës”, V.N. (49) dhe L.M. (71).

Në aksident u lënduan edhe tre persona të tjerë. L.N. (48) pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa S.N. (27) dhe B.N. (28) pësuan lëndime trupore. Të tre u transportuan për trajtim në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza” në Shkup.

Këqyrja e vendit të aksidentit është kryer nga ekipet e SPB Kumanovë. Me urdhër të prokurorit publik, shoferi i “Mercedesit”, M.M., është privuar nga liria.

Pas përfundimit të dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë kallëzim përkatës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit