Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Tirolin e Jugut është njohur me modelin e autonomisë dhe mekanizmat për mbrojtjen e komuniteteve gjuhësore. Vizita u zhvillua më 16 dhe 17 shtator, ndërsa në fokus ishin bashkëqeverisja, përfaqësimi proporcional dhe të drejtat gjuhësore.
Osmani zhvilloi takim me kryetarin e Parlamentit të Tirolit të Jugut, Angelo Gennaccaro, i cili prezantoi karakteristikat institucionale të modelit të bashkëjetesës në këtë rajon dhe shprehu gatishmëri për vazhdimin e kontakteve.
Gjatë vizitës, Osmani u takua edhe me përfaqësues të Eurac Research, ku u diskutua për autonominë, mbrojtjen e minoriteteve, përfaqësimin dhe mekanizmat institucionalë. Qendra për Autonomy Experience e Eurac Research organizon vizita studimore dhe punon me këto tema në bazë të përvojës së Tirolit të Jugut.
Osmani tha se përvoja e Tirolit të Jugut mund të shërbejë si burim përvojash për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në forcimin e mekanizmave të bashkëjetesës, barazisë dhe pjesëmarrjes së komuniteteve.
Sipas tij, Marrëveshja Kornizë e Ohrit përbën një bazë të rëndësishme për bashkëjetesën ndëretnike në vend, ndërsa përvoja e Tirolit të Jugut tregon rëndësinë e institucioneve dhe mekanizmave ligjorë në zbatimin e të drejtave të komuniteteve.






