Një autobus me rreth 90 nxënës nga Podgorica është përfshirë në një aksident trafiku pranë Mojkovacit, në Mal të Zi, pasi në rrugë ka rënë një masiv gurësh.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:35, në rrugën magjistrale Mojkovac–Kollashin. Sipas informacioneve të para, shoferi është përpjekur t’i shmanget gurëve në rrugë, por autobusi ka goditur një shkëmb anës rrugës.
Pesë persona janë dërguar për kontroll dhe trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Bijello Pole. Sipas informacioneve të mëvonshme, në mesin e të lënduarve ishin tri nxënëse 15-vjeçare dhe dy të rritur. Njëri prej të rriturve dyshohet se ka pësuar lëndime më të rënda, ndërsa te vajzat nuk janë konstatuar shenja të lëndimeve të rënda në momentin e pranimit.
Nxënësit po ktheheshin nga një ekskursion në Podgoricë. Pas aksidentit, pjesa tjetër e nxënësve është evakuuar dhe është nisur drejt Podgoricës me mjete të tjera transporti.
Autobusi i dytë që po udhëtonte pas autobusit të aksidentuar është shoqëruar nga policia drejt Kollashinit dhe Podgoricës.
Policia malazeze ka bërë të ditur jozyrtarisht se shoferi nuk ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e aksidentit. Hetimi do të përcaktojë rrethanat e plota të ngjarjes.






