Alarm në Zvicër për Granit Xhakën, prokuroria hap hetim

Advertisement

Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është përfshirë në një hetim penal në Zvicër lidhur me dyshimet për certifikata të falsifikuara të vaksinimit kundër COVID-19.

Sipas të përditshmes zvicerane “Blick”, Xhaka pritet të merret në pyetje nga Prokuroria Publike e kantonit të Lucernës në fillim të tetorit. Zëdhënësi i prokurorisë, Simon Kopp, ka konfirmuar se ndaj futbollistit dhe një mjekeje në Lucernë janë hapur procedura penale.

Hetimi lidhet me dyshimet nëse Xhaka ka marrë realisht vaksinat kundër COVID-19 apo nëse për të është lëshuar një certifikatë pa vaksinim. Zyra e mjekes ishte kontrolluar nga policia në vitin 2023, ndërsa gjatë kontrollit ishin sekuestruar materiale që tani po shqyrtohen nga autoritetet.

Xhaka e ka deklaruar më herët publikisht se ishte vaksinuar. Ndërkohë, përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka mohuar falsifikimin e dokumenteve dhe ka thënë se futbollisti është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet.

Sipas Bantelit, Xhaka disponon dokumentacion mjekësor që konfirmon vaksinimin e tij më 25 janar dhe 11 nëntor 2022.

Edhe mjekja nën hetim e mohon çdo shkelje. Avokati i saj ka deklaruar se ajo këmbëngul se e ka vaksinuar personalisht Xhakën dhe se procedura është kryer në përputhje me rregullat.

Federata Zvicerane e Futbollit ka deklaruar se nuk mund të komentojë çështjen, pasi aktualisht nuk disponon informacion të mjaftueshëm.

Xhaka dhe mjekja konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Hetimi pritet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale dhe nëse dokumentet e vaksinimit janë të rregullta.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit