Gjatë sezonit të sivjetmë veror, në zona të ndryshme të rajonit të Kumanovës, Likovës dhe Nagoriçit janë regjistruar një numër i madh zjarresh.
Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Kumanovë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Pyjet Nacionale, ka ndërhyrë në lokalizimin e zjarreve.
Në përballimin e situatës ka ndihmuar edhe pajisja e re, përfshirë shtatë automjete profesionale të dhuruara nga krahina e Tirolit në Austri.
Komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve në Kumanovë, Boris Stankovski, tha se donacionet kanë ndihmuar në përmirësimin e ndjeshëm të kapaciteteve të njësisë.
“Duke filluar nga shtatori i vitit të kaluar e deri më tani kemi marrë shtatë automjete profesionale për shuarjen e zjarreve. Me këtë, njësia jonë ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet operative. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Stankovski.
Sipas tij, automjetet që ishin në përdorim më parë kishin një vjetërsi prej mbi 40 vitesh, ndërsa mjetet e dhuruara janë dukshëm më të reja.
Paralelisht me rinovimin e flotës, NJTZK po punon edhe në rritjen e numrit të zjarrfikësve. Gjatë muajve të fundit janë angazhuar rreth 25 deri në 30 zjarrfikës sezonalë përmes Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa janë formuar edhe ekipe për intervenime të shpejta.
Me kapacitetet aktuale, zjarrfikësit e Kumanovës kanë ndërhyrë jo vetëm në territorin e Kumanovës, por edhe në rajonet e Likovës dhe Nagoriçit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve kanë marrë pjesë edhe ndërmarrja publike “Pastrim dhe Gjelbërim”, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Pyjet Nacionale, Qendra për Menaxhim me Kriza, si dhe banorët lokalë.






