Pa dhënë provim morën kategoritë C dhe D, akuzohen një punonjëse e MPB-së dhe pesë shoferë

Advertisement

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve.

Në mesin e të akuzuarve është një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila, sipas prokurorisë, gjatë periudhës nga shtatori 2020 deri në gusht 2026 ka përdorur kodet e saj për të ndryshuar të dhënat në lejet e vozitjes dhe për të shtuar kategori të tjera.

Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë të cilët, edhe pse nuk i kishin kaluar provimet për kategoritë C dhe D, dyshohet se në bashkëpunim me punonjësen kanë aplikuar për leje drejtimi me kategori të shtuara.

Sipas prokurorisë, dokumentet e falsifikuara më pas janë përdorur për sigurimin e certifikatave të kompetencës profesionale, të nevojshme për transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Me këto dokumente, të akuzuarit dyshohet se kanë drejtuar autobusë dhe automjete transporti në trafikun ndërkombëtar.

Për tre prej të akuzuarve, përfshirë punonjësen e MPB-së, prokurori ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit. Për tre të tjerët, të cilët aktualisht janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, është kërkuar paraburgim pas gjetjes së tyre.

Prokuroria po vazhdon sigurimin e provave edhe ndaj 21 personave të tjerë, të dyshuar si ndërmjetësues ose përdorues të lejeve të falsifikuara.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit