Bajraktari: Apeli mund të zgjasë dy vite, institucionet nuk e trajtuan seriozisht procesin

Advertisement

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se procedura e Apelit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë mund të zgjasë rreth dy vite ose edhe më shumë.

Duke folur për fazën që pason pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Bajraktari ka shpjeguar se palët kanë afat për të njoftuar gjykatën për ankesën, ndërsa më pas vijon shkëmbimi i argumenteve dhe kundërargumenteve mes palëve.

Sipas tij, pas përfundimit të këtyre hapave formohet paneli i Gjykatës së Apelit dhe caktohet gjyqtari raportues. Duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes, Bajraktari vlerëson se vendimi i shkallës së dytë mund të merret pas rreth dy vitesh.

Ai ka theksuar se Apeli ka disa mundësi, përfshirë konfirmimin ose ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë, si dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Bajraktari ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se, sipas tij, procesi nuk është trajtuar me seriozitetin dhe përkushtimin e nevojshëm. Ai ka kërkuar gjithashtu rishikimin e disa dispozitave të Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të cilat pretendon se duhet të harmonizohen me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare.

Ndërkohë, ai ka folur edhe për reagimet publike pas aktgjykimit, duke thënë se protestat dhe pakënaqësitë e qytetarëve janë të kuptueshme, ndërsa ka bërë thirrje që kundërshtimi të vazhdojë në mënyrë dinjitoze.

Të mërkurën, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli fajtorë Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin për katër akuza për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite.

Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar apelimin e aktgjykimit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit