Policia e Shkupit ka identifikuar dhe gjobitur një 38-vjeçare nga Shkupi, pasi ajo u filmua duke hedhur mbeturina nga një automjet pranë urës mbi lumin Lepenec.
Bëhet fjalë për M.I.B., e cila më 17 shtator është thirrur në Stacionin Policor të Karposhit për t’u marrë në pyetje lidhur me një video të publikuar në rrjetet sociale.
Në video shihet gruaja duke hedhur mbeturina nga një automjet tip “Porsche”, në rrugën “Skupi”, pranë urës mbi lumin Lepenec.
Pas veprimeve të ndërmarra, policia e ka identifikuar 38-vjeçaren dhe ka zhvilluar me të një bisedë zyrtare.
Ajo është gjobitur në bazë të Ligjit për Pastërtinë Publike për hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara. Gjithashtu, është gjobitur edhe për parkim të parregullt të automjetit në korsinë e qarkullimit, në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.






