Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, pret që deri në fund të vitit të miratohet Strategjia Kombëtare për Inteligjencën Artificiale. Një nga aktivitetet e parashikuara në strategji do të jetë edhe miratimi i një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Nesër, në Ministrinë e Transformimit Digjital, do të mbahet një takim i grupit të punës, pas së cilit versioni draft do të publikohet në ENER, ndërsa do të organizohen edhe disa debate publike.
“Pres që deri në fund të vitit ta miratojmë. Një nga aktivitetet e strategjisë po mendojmë të jetë edhe miratimi i një ligji për përdorimin e inteligjencës artificiale. Pra, jo rregullimi i prodhimit apo krijimit të inteligjencës artificiale, por më shumë përdorimi i saj në mënyrë të drejtë, etike dhe parimore, në të mirë të shoqërisë”, deklaroi ministri Andonovski.
Sa i përket ndërtimit të Qendrës Kombëtare të të Dhënave, Andonovski tha se tashmë janë duke u zhvilluar bisedime me financues potencialë të projektit. Ndërkohë, në Ministrinë e Transportit po diskutohen procedurat e nevojshme për shfrytëzimin e lokacionit pranë Bunarxhikut.
“Lokacioni do të jetë në afërsi të Shkupit, menjëherë pranë një prej zonave industriale dhe zhvillimore. Bëhet fjalë për tokë shtetërore që nuk përdoret për bujqësi apo për ndonjë qëllim tjetër, kështu që do ta shfrytëzojmë këtë hapësirë. Në afërsi tashmë janë ndërtuar centrale fotovoltaike. Planifikojmë që në fazën e dytë, krahas qendrës së të dhënave, të ndërtojmë edhe një central fotovoltaik, përmes të cilit do të sigurojmë nga 30 deri në 40 për qind të energjisë elektrike që do të konsumojë qendra e të dhënave”, tha Andonovski.






