41 vepra të Ibrahim Kodrës në ekspozitën “Deti dhe Muzika”

Advertisement

Pas shumë vitesh, 41 vepra të piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra do të prezantohen së bashku në ekspozitën “Deti dhe Muzika”, e cila do të hapet më 23 shtator në Bankën e Shqipërisë.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se veprat, të realizuara përgjatë periudhës 1947–1999, sjellin një rrëfim të ndërtuar përmes ngjyrave, ritmit dhe simbolikës.

Ekspozita synon të sjellë më pranë publikut universin krijues të mjeshtrit shqiptar, përmes një përzgjedhjeje që përfshin jo vetëm pikturat, por edhe fotografi, dokumente dhe objekte personale të artistit.

Ekspozita “Deti dhe Muzika” do të qëndrojë e hapur nga 23 shtatori deri më 23 nëntor 2026, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Ibrahim Kodra, më i njohuri piktor shqiptar në arenën ndërkombëtare, lindi në Likmetaj të Ishmit, në vitin 1918 dhe u nda nga jeta 20 vjet më parë në Milano. Me një krijimtari të madhe prej gjashtë mijë veprash, ai konsiderohet si një nga modernët më të fuqishëm të piktorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Në historinë ë artit modern shqiptar e evropian, Ibrahim Kodra ishte një nga profilet origjinale më të spikatura që edhe pse jetoi jashtë Shqipërisë, ngjyrat dhe tema shqiptare ishin në thelbin e tij artistik.

I vlerësuar si postkubist nga kritikët, në vitin 1996 Kodra mori titullin “Nderi i Kombit” dhe në vitin 1997 u shpall Konsull Nderi dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit