Sipas projektligjit, nëna e punësuar do të ketë të drejtë për rimbursim prej 100 për qind të tatimit të paguar mbi pagën e saj. Për nënën e fëmijës së parë, masa do të vlejë për 12 muaj, ndërsa për fëmijën e dytë për 24 muaj.
Në rastin e fëmijës së tretë, rimbursimi do të vazhdojë deri në mbushjen e moshës 18-vjeçare të fëmijës.
Me këtë masë, mbështetja për familjet nuk do të realizohet përmes një pagese të re direkte nga buxheti, por përmes kthimit të tatimit tashmë të paguar. Mekanizmi aktual i llogaritjes dhe pagesës së tatimit do të mbetet në fuqi.
Në projektligj thuhet se masa synon përmirësimin e gjendjes materiale të familjeve me fëmijë, rritjen e sigurisë financiare të nënave të punësuara dhe lehtësimin e harmonizimit të jetës profesionale me atë familjare.
Ndryshimet janë propozuar nga deputeti Mile Cekov, i cili më parë ishte pjesë e ZNAM-it, ndërsa tani vepron si deputet i pavarur.
Kohëzgjatja e përfitimit përcaktohet në bazë të numrit të fëmijëve, me synimin për të ofruar mbështetje më të madhe për familjet dhe për të nxitur politikat demografike.






