’Udhëtimet e Gulliverit’, 300 vjet nga romani satirik që sfidon natyrën njerëzore

Advertisement

Romani i famshëm i Jonathan Swiftit, Udhëtimet e Gulliverit, mbush 300 vjet nga botimi i tij i parë, por mesazhi satirik dhe kritik i veprës vazhdon të jetë objekt interpretimesh dhe debatesh edhe sot.

Botuar për herë të parë në vitin 1726, romani është shndërruar me kalimin e kohës në një nga veprat më të njohura të letërsisë botërore. Megjithatë, versioni që njohin shumica e lexuesve, veçanërisht fëmijët, ndryshon ndjeshëm nga vepra origjinale.

Sipas një analize të BBC-së, libri i Swiftit nuk ishte konceptuar thjesht si një rrëfim fantastik për aventura në vende të largëta, por si një satirë e mprehtë ndaj shoqërisë, politikës, pushtetit, kolonializmit dhe natyrës njerëzore.

Përmes udhëtimeve të Lemuel Gulliverit në vende imagjinare, autori vë në pikëpyetje sjelljen njerëzore, ambiciet politike, konfliktet dhe kontradiktat e shoqërisë. Në pjesën e katërt të romanit, përmes përballjes me kuajt inteligjentë Houyhnhnms dhe krijesat njerëzore Yahoo, Swift paraqet një nga kritikat më të ashpra ndaj vetë njerëzimit.

Që nga botimi i parë, vepra është shkurtuar, ndryshuar dhe përshtatur vazhdimisht. Elementet më të errëta, satira politike dhe episodet provokuese u hoqën gradualisht nga botimet e destinuara për fëmijë, duke e shndërruar romanin në një histori aventureske dhe fantastike.

Studiuesit vazhdojnë të debatojnë nëse Swift ishte një autor thellësisht pesimist për natyrën njerëzore apo një reformator që përdorte satirën për të nxitur ndryshimin shoqëror.

Tre shekuj pas botimit, Udhëtimet e Gulliverit mbetet një nga veprat më të përshtatura të letërsisë, duke dëshmuar se pas aventurës fantastike fshihet një kritikë e fuqishme ndaj botës njerëzore./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit