“Sa i përket vizitës sime, fillimisht në Uashington, janë planifikuar takime në nivel shumë të lartë në kuadër të Senatit, Kongresit dhe Departamentit të Shtetit, si dhe takime në nivel shumë të lartë me përfaqësues të DFC-së — një institucion financiar që financon projekte në mbarë botën, të cilat kryesisht janë projekte të teknologjisë së avancuar. Ata janë të pranishëm këtu përmes investimit të tyre në projektin “Pela” (Krstov Dol) për antimonin, i njohur për publikun. Nga ana e tyre është shprehur interes edhe për projekte të tjera në fushën e energjetikës dhe teknologjisë së avancuar, ku dëshirojmë t’i ofrojmë thellësisht kapacitetet tona. Gjithashtu, do të ketë takime me kompani nga industria ushtarake — kompani të cilat dëshirojmë, në një mënyrë ose në një tjetër, t’i tërheqim që të investojnë dhe të vijnë tek ne.
Jemi në fazën e hartimit, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, të një ligji të ri përmes të cilit do të ofrojmë poligonin tonë të trajnimit ‘Krivollak’, sepse besojmë se në këtë mënyrë mund të kemi një rritje edhe më të shpejtë dhe më dinamike të ekonomisë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në paraqitjen e tij në edicionin qendror të lajmeve të MRT-së.
Mickoski iu referua vizitës në SHBA, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të këtij viti. Ai theksoi se në kuadër të vizitës, nga takimet dypalëshe që janë planifikuar, pret lidhjen e marrëveshjeve të ja reja që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
„Më tej, janë planifikuar takime me organizata me ndikim të llojit think-tank, kurse pastaj zhvendosemi në Nju Jork, ku vazhdojmë në margjinat e Asamblesë së OKB-së të këtij viti të takohemi me një numër të madh burrështetasish. Tashmë i kemi të konfirmuara takimet – në parim, jemi orientuar drejt fqinjësisë, natyrisht. Këtu është edhe pritja, normalisht, nga ana e presidentit të SHBA-së, ndërsa gjithashtu kemi takime dypalëshe edhe me vendet nga Gjiri, nga ku vlerësojmë se duhet të ndërtojmë lidhje partneriteti të mira dhe solide“, tha Mickoski
|