Vëmendja është përqendruar në Hagë, ku të mërkurën pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur disa vite, vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës pritet me interesim të madh në Kosovë dhe jashtë saj.
Nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se në Hagë do të jenë të pranishëm zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar për RTK-në se Konjufca dhe Hoti do ta ndjekin seancën nga galeria e Dhomave të Specializuara, ku do të shpallet verdikti.
Ndërkohë, në Hagë kanë mbërritur edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, si dhe qytetarë nga Kosova dhe diaspora.
Ata pritet të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar për të mërkurën dhe të qëndrojnë në Hagë gjatë ditës së shpalljes së aktgjykimit.






