Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të hënën gjykimi ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi edhe në këtë seancë është deklaruar i pafajshëm.
Në seancë u konfirmuan si të lexuara fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët, ndërsa rasti tash po shqyrtohet nga një trup i ri gjykues, i përbërë nga Violeta Namani-Hajra, Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi dyshohet se gjatë kohës sa ishte në krye të KEK-ut kishte lejuar vazhdimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE), ndonëse ajo nuk kishte licencë të njohur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Prokuroria pretendon se nga këto veprime buxheti i Kosovës është dëmtuar me rreth 532 mijë euro, ndërsa dëmi ndaj KEK-ut vlerësohet në mbi 3.2 milionë euro.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm edhe në seancat e mëparshme. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare.






