Ndahet nga jeta Emma Bonino, politikania italiane që ishte mbështetëse e madhe e Kosovës

Advertisement

Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare politikania dhe aktivistja italiane, Emma Bonino, një prej zërave të fuqishëm në mbështetje të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 dhe në vitet që pasuan.

Bonino ishte një prej mbështetëseve të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe gjatë luftës kishte vizituar refugjatët kosovarë në vendet përreth Kosovës, duke alarmuar vazhdimisht për gjendjen humanitare.

Më 9 maj 1999, në cilësinë e komisioneres për ndihma humanitare të Bashkimit Evropian, Bonino qëndroi në Shkup, prej nga alarmoi për përmasat e krizës humanitare në Kosovë.

“Janë të paktën 690 mijë të zhvendosur, që nënkupton se një bombë njerëzore është mbushur dhe mund të shpërthejë në çdo kohë”, pati thënë ajo.

Në atë kohë, Bonino kishte denoncuar edhe faktin se autoritetet jugosllave nuk po lejonin kosovarët të hynin në Maqedoni për katër ditë.

Pas përfundimit të luftës, angazhimi i saj në mbështetje të Kosovës vazhdoi. Në vitin 2013, Bonino vizitoi Kosovën, ku gjatë një konference për media u zotua për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Përtej angazhimit të saj ndaj Kosovës, Bonino do të mbahet mend edhe për një karrierë të gjatë politike dhe aktivizëm në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ajo ishte një prej figurave kryesore të politikës radikale italiane dhe udhëhoqi fushata për legalizimin e abortit dhe divorcit, përballë kundërshtimit të Vatikanit.

Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të veprimtari dhe afaristi i njohur shqiptar, Muharrem Salihu, që ishte një nga bashkëpunëtorët e saj viteve të fundit në kuadër të partisë “Më shumë Evropë” në Itali dhe BE.

Ja çfarë ka shkruar Salihu:

Lamtumirë Emma Bonino, zonjë e rëndë e politikës italiane dhe asaj europiane.

E kam njohur prej shumë vitesh dhe kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me të, veçanërisht në kohën kur punuam për kandidaturën time për në Parlamentin Europian. E kujtoj emocionin e saj kur shihte se, më në fund, edhe popujt e Ballkanit po afroheshin me Europën. Për të, ky nuk ishte thjesht një proces politik, por një konfirmim i vizionit të saj për më shumë Europë.

Emma Bonino ishte një profete e perspektivës europiane. Një zë i fortë, shpesh i vetmuar, por gjithmonë i guximshëm përballë sfidave të kohës.

Rrugët tona politike mund të jenë larguar, por kjo nuk më pengon aspak të vlerësoj atë që mbetet përtej politikës së ditës: vlerat universale që ajo mbrojti me pasion dhe konsekuencë gjatë gjithë jetës.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut ishte në qendër të betejave të saj. Jo vetëm në Itali apo në Europë, por në çdo cep të botës ku dinjiteti njerëzor kërcënohej: nga Afganistani te Tibeti, nga Bosnje-Hercegovina te Kosova. Ajo u angazhua fuqishëm për ndërhyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe Kosovë, për të drejtat e të burgosurve, për liritë civile, për të drejtat e grave dhe për lirinë e abortit.

E kujtoj edhe për zërin e saj të fuqishëm në Parlamentin Europian, kur kërkonte që Milosheviçi të ndalej me forcë. Një qëndrim i guximshëm, i marrë nga një grua që besonte thellësisht në paqe, por që e dinte se paqja nuk mund të ndërtohet duke qëndruar indiferentë përballë dhunës.

Sot, përtej çdo dallimi politik, mbetet respekti, mirënjohja dhe solidariteti njerëzor. Dhe mesazhi i saj për Europën duket më aktual se kurrë: duhet të riorganizohemi dhe të veprojmë në unison. Përballë rreziqeve që shfaqen në horizont, Europa nuk mund të jetë e përçarë apo e pavendosur. Disa njerëz largohen, por ajo që kanë mbrojtur dhe besuar me gjithë forcën e tyre mbetet. Emma Bonino do të mbetet e paharruar pikërisht për këto vlera: lirinë, dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe besimin tek Europa. Lamtumirë, Emma. Me respekt dhe mirënjohje.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit