Kompania TESSA Energy, pjesë e grupacionit TESSA Group, sot zyrtarisht vuri në përdorim kapacitetet e reja kogjenerative në Shkup, me fuqi të instaluar elektrike prej 2,1 MW dhe fuqi termike prej 2,6 MW. Investimi me vlerë prej 2,5 milionë eurosh paraqet fazën e parë të një cikli më të gjerë investimesh për modernizimin e ish-“Termocentralit Skopje Sever” dhe transformimin e tij në një qendër moderne për prodhimin e kombinuar të energjisë elektrike dhe termike.
Impianti i ri është pajisur me dy gjeneratorë modernë me efikasitet të lartë, të cilët njëkohësisht prodhojnë energji elektrike dhe termike. Kjo teknologji e kombinuar mundëson përdorimin më efikas të gazit natyror si lëndë djegëse, kosto më të ulëta të prodhimit, emetime më të reduktuara të dioksidit të karbonit dhe furnizim edhe më të sigurt me energji termike dhe elektrike për konsumatorët.
Fillimin e punës së kapaciteteve të reja e shënuan kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale Sanela Bozhinovska dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muhamet Hoxha, të shoqëruar nga pronari dhe drejtori i përgjithshëm i TESSA Group, Ajri Shej.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, theksoi se infrastruktura moderne dhe partneriteti me sektorin privat janë faktorë të rëndësishëm të zhvillimit.
“Sot jemi në fillim të punës së një investimi të ri dhe sektori privat po tregon se mund të realizojë tranzicionin e gjelbër në shtet. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kompanitë vendase po tregojnë se mund të jenë në hap me tendencat më të mëdha botërore”, theksoi ai.
“Më paraqet kënaqësi të veçantë që sot jemi këtu në Komunën e Çairit, në një ngjarje me të cilën shënojmë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e energjetikës maqedonase. Sot shënojmë rezultatin e një investimi që sjell kapacitet të ri në sistemin energjetik vendor, prodhim të ri të energjisë elektrike dhe siguri shtesë për qytetarët dhe ekonominë maqedonase”, theksoi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanela Bozhinovska.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, theksoi kontributin ekologjik të projektit.
“Investimi i TESSA Energy prej 2,5 milionë eurosh tregon se sa e rëndësishme është përgjegjësia e të gjithë faktorëve, veçanërisht e atyre nga sektori i energjetikës dhe industrisë, për ndryshime pozitive në mjedisin jetësor. Por tregon edhe mundësitë për sektorin privat përmes investimeve në teknologji më efikase dhe më të pastra. Ky impiant kogjenerues është pikërisht një shembull i tillë. Në fazën e parë sigurohet ngrohje qendrore për rreth 500 familje dhe 14 institucione në Çair dhe Butel”, tha ministri Hoxha.
Duke falënderuar për bashkëpunimin e mirë institucional dhe mbështetjen që mori projekti, pronari dhe drejtori i përgjithshëm i TESSA Group, Ajri Shej, theksoi:
“Kur morëm përsipër ish-Thermoelektranën ‘Skopje Sever’, nuk blemë vetëm një kapacitet prodhues. Morëm përgjegjësi për të ruajtur sistemin që u shërben mijëra qytetarëve dhe njëkohësisht për ta transformuar atë në një qendër moderne energjetike. Investimi i sotëm tregon se me vizion, njohuri dhe teknologji moderne, kapacitetet ekzistuese mund të marrin jetë të re dhe të krijojnë vlerë të re për shtetin, ekonominë dhe qytetarët”.
Ndërkohë, TESSA Group tashmë po përgatit fazën e dytë të ciklit të investimeve, e cila parasheh ndërtimin e një centrali të ri kogjenerues me efikasitet të lartë, me fuqi të instaluar prej 10,5 MW dhe vlerë të parashikuar deri në 10 milionë euro.
Planifikohet që objekti i ri prodhues të ketë tre gjeneratorë me gaz, nga 3,5 MW secili, duke rritur më tej prodhimin e energjisë elektrike për tregun vendor dhe rajonal dhe duke përmirësuar efikasitetin e sistemit të ngrohjes qendrore në kryeqytet.
Këto investime të TESSA Group vijnë pas marrjes në pronësi të ish-“Termocentralit Skopje Sever” në fillim të vitit 2024. Impianti sot funksionon si “Energy Ecolink AD Shkup” dhe vazhdon të sigurojë prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike për familjet dhe objektet afariste në komunat e Shkupit Çair dhe Butel, ndërsa investimet e reja krijojnë mundësi që i njëjti sistem njëkohësisht të kontribuojë edhe në prodhimin vendor të energjisë elektrike.
Shkup, 12 shtator 2026







