Mustafa Dauti, zëvendësdrejtor i Doganave të RMV-së, vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc–Stançiç

Advertisement

Zëvendësdrejtori i Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq, që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës.

Gjatë vizitës, Dauti vuri theksin te rëndësia e kësaj pike kufitare për qytetarët dhe për forcimin e lidhjeve rajonale, veçanërisht mes zonës së Kumanovës dhe Gjilanit.

Ai bëri të ditur se aktualisht pika kufitare shërben vetëm për qarkullimin e automjeteve, ndërsa institucionet po punojnë për krijimin e kushteve që në të ardhmen përmes saj të mundësohet edhe qarkullimi i mallrave.

“Kjo pikë na lidh jo vetëm fizikisht me Kosovën, por edhe ekonomikisht. Prandaj, investimi në funksionalitetin e saj dhe në modernizimin e mënyrës së punës është investim në një lidhje më të mirë ndërmjet dy vendeve dhe në një rajon më të ndërlidhur”, deklaroi Dauti.

Gjatë vizitës, zëvendësdrejtori i Doganave u njoh nga afër me gjendjen dhe mënyrën e funksionimit të pikës kufitare, ndërsa diskutoi edhe për mundësitë e përmirësimit të shërbimeve dhe zhvillimit të mëtejshëm të saj.

Dauti theksoi gjithashtu se një nga proceset për të cilat po punohet intensivisht është funksionalizimi i sistemit One Stop Shop edhe në këtë pikë kufitare.

Sipas tij, ky sistem do të mundësonte procedura më të shpejta, më efikase dhe më të koordinuara për qytetarët, në përputhje me praktikën që tashmë zbatohet në pika të tjera kufitare.

“Për ne, përmirësimi i infrastrukturës, organizimi dhe shërbimi në pikat kufitare nuk është vetëm çështje administrative, por është pjesë e përpjekjes për të krijuar lëvizje më të lehtë, bashkëpunim më të mirë ndërkufitar dhe lidhje më të forta rajonale”, u shpreh Dauti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit