Po zhvillohet një aksion i koordinuar, në kuadër të të cilit po kryhen kontrolle në rreth 32 lokacione në Shkup, njofton Prokuroria Themelore Publike. Sipas Prokurorisë, aksioni po zhvillohet për shkak të dyshimeve për lëshim të paligjshëm dhe falsifikim të dokumenteve, ndërsa jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për falsifikim të patentë-shoferëve për kategoritë C dhe D.
“Bazuar në urdhrat e gjyqtarit të procedurës paraprake, të siguruara me kërkesë të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, sot po kryhen bastisje në 32 lokacione në Shkup, te persona, shtëpi dhe ambiente zyrtare të MPB-së. Po ndërmerren edhe veprime të tjera për sigurimin e provave, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale – Falsifikim i dokumentit, sipas nenit 378 të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.






