Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë në promovimin e “Doracakut për zbatimin e masës së paraburgimit përmes prizmit të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat Njeriut.
Në fjalën e tij, Ministri Shasivari theksoi se doracaku vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm dhe paraqet një mjet të rëndësishëm praktik për avancimin e praktikës gjyqësore të prokurorisë, si dhe për zbatimin konsekuent të standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut.
“Kur flasim për paraburgimin, flasim për një ndër pikat më të ndjeshme të procedurës penale – moment kur shteti kufizon një ndër të drejtat më themelore të njeriut – të drejtën e lirisë”, theksoi Shasivari.
Ai theksoi se paraburgimi nuk guxon të zbatohet në mënyrë automatike dhe as të paraqesë zëvendësim të aktgjykimit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë.
“Paraburgimi nuk guxon të bëhet instrument i automatizmit. Nuk guxon të shndërrohet në zëvendësim për aktgjykimin. Dhe më e rëndësishmja – njeriu nuk guxon të trajtohet si fajtor para se të merret vendim i formës së prerë për fajësinë e tij”, theksoi Ministri i Drejtësisë.






