Kërkohej burg, por gjykata vendos ndryshe për Jozefin Markun dhe shoferin e tij

Advertisement

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikollin, të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj Eduard Kuçit.

Sipas “Top Channel”, vendimi është marrë pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar masën “arrest me burg” për të dy.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e konfliktit dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria po verifikon edhe çështjen e përdorimit të simboleve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, është kërkuar akt-ekspertim për të përcaktuar dëmtimet trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi.

Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor nën dyshimin për “moskallëzim krimi”. Sipas hetimeve, ai fillimisht nuk e kishte raportuar ngjarjen në polici, duke e paraqitur atë si një konflikt të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.

Pas verifikimeve, ndaj tij është ngritur akuza për moskallëzim krimi dhe ai është shpallur në kërkim për t’u marrë në pyetje dhe për të dhënë sqarime lidhur me ngjarjen.

Pas arrestimit, Jozefin Marku ka deklaruar se ishte irrituar pasi Kuçi e kishte ofenduar në rrjetet sociale.

Me vendimin e gjykatës, Marku dhe Nikolli do të vijojnë të qëndrojnë nën masën e “arrestit shtëpiak” gjatë zhvillimit të hetimeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit