Henry tregon se kush e meriton ta fitojë Topin e Artë 2026

Advertisement

Ish-ylli i Arsenalit dhe Barcelonës, Thierry Henry, ka zbuluar favoritët e tij për të fituar Topin e Artë 2026, duke vendosur sulmuesin e Real Madridit, Kylian Mbappe, në krye të listës.

“France Football” publikoi të martën listën e ngushtë me 30 kandidatë për çmimin prestigjioz individual. Në mesin e tyre është edhe Mbappe, i cili sipas Henryt është kandidati kryesor për ta fituar trofeun.

“Nëse do ta kishte fituar Kupën e Botës, mendoj se Lionel Messi do ta kishte fituar Topin e Artë. Michael Olise nuk do të kishte qenë shumë prapa tij. Por Kylian Mbappe është i preferuari im”, ka deklaruar Henry për “Foot Mercato”.

Henry theksoi se mungesa e trofeve në nivel ekipor nuk duhet të jetë domosdoshmërisht pengesë për një futbollist në garën për Topin e Artë.

“Disa do të më thonë se ai nuk ka fituar asgjë. Mendoj se disa njerëz duhet të shikojnë historinë dhe të shohin se disa fitues të Topit të Artë nuk fituan asgjë në vitin para se ta merrnin çmimin”, tha ai.

Sipas Henryt, statistikat individuale e vendosin Mbappen në një pozitë të fortë në këtë garë.

“Për mua, Kylian është më i miri. Kur sheh çfarë ka arritur në nivel individual – golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve, golashënuesi më i mirë në La Liga dhe golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës…”, u shpreh ai.

Henry vlerësoi edhe Michael Olisen, veçanërisht për kontributin e tij në asistime, por në fund zgjodhi Mbappen si favorit.

“Olise ka të njëjtën arritje për sa i përket asistimeve. Është e jashtëzakonshme. Do të zgjidhja Kylianin, me Michael Olisen shumë pranë tij”, përfundoi Henry.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit