Liqeni i Prespës më 7 shtator kishte nivelin e ujit 53 centimetra më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja lidhet me sezonin jashtëzakonisht të lagësht të kaluar, megjithatë të dhënat e reja tregojnë se periudha e thatë këtë vit ka nisur rreth 20 ditë më herët.
Sipas analizës së Dejan Trajkovskit, të publikuar në “Emiter”, që nga fundi i majit niveli i ujit është ulur për 43 centimetra.
Periudha e thatë ka nisur më 30 maj, kur niveli i liqenit ishte në kuotën minus 562 centimetra. Kjo ishte vetëm dy centimetra nën nivelin më të lartë të regjistruar gjatë vitit 2024. Rënia prej 43 centimetrash në tre muajt pasues, aktualisht, konsiderohet brenda kufijve të rënies mesatare sezonale.
Deri në fillimin e sezonit të lagësht, i cili zakonisht nis në fillim të dhjetorit, pritet që niveli të ulet edhe 20 deri në 25 centimetra. Vlerësimet tregojnë se minimumi vjetor mund të arrijë kuotat minus 620 deri në minus 630 centimetra.
Megjithatë, këtë vit nuk pritet të regjistrohet një rekord i ri negativ. Gjatë sezonit të kaluar të lagësht, reshjet e dendura e ngritën nivelin e liqenit për 111 centimetra. Edhe UNDP ka theksuar se reshjet gjatë dimrit dhe pranverës kanë ngopur tokën me ujë dhe kanë rritur prurjet në Liqenin e Prespës.
Pavarësisht situatës aktualisht më të favorshme, të dhënat nuk tregojnë ende një ndryshim të trendit afatgjatë. Gjatë dy viteve të fundit, niveli i liqenit ka rënë me rreth 50 deri në 55 centimetra në vit, ndërsa mesatarja shumëvjeçare e rënies është rreth 18 centimetra.
Të dhënat afatgjata mbeten shqetësuese. Sipas të dhënave të NASA-s, të publikuara nga Reuters, nga viti 1984 deri në vitin 2020 Liqeni i Prespës ka humbur rreth 7 për qind të sipërfaqes dhe pothuajse gjysmën e vëllimit të ujit. Krahasuar me fundin e viteve ’70, niveli i ujit është ulur për më shumë se tetë metra.
Për të ndalur realisht rënien e nivelit do të nevojiteshin disa sezone të njëpasnjëshme me reshje të dendura dhe prurje të mëdha uji. Deri në fillim të dhjetorit, vëmendja do të mbetet te reshjet dhe sasia e ujit që do të derdhet në liqen.






