Hetimet për vrasjen e 26-vjeçarit vazhdojnë, ende pa sqarime për daljen e të dyshuarit nga burgu

Advertisement

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur detaje të reja lidhur me personin që dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Amir Murati në lagjen Duqanxhik të Shkupit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dy ditë më parë deklaroi se policia ka informacione për identitetin e njërit prej të dyshuarve dhe se bëhet fjalë për një person që aktualisht është duke vuajtur dënim me burg.

Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur se në çfarë rrethanash personi ka qenë jashtë institucionit ndëshkues në momentin e ngjarjes. Nuk ka informacione zyrtare nëse ai ka pasur leje për dalje, nëse ka qenë i liruar përkohësisht apo nëse ka dalë nga burgu në rrethana të tjera.

Toshkovski tha se hetimi vazhdon në koordinim mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike.

“Për momentin nuk do të doja të ndaj më shumë informacione në interes të hetimit. Punojnë hetuesit në kuadër të MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Publike. Kur të kemi informacion konkret që mund ta ndajmë me opinionin, gjithsesi se do ta bëjmë”, deklaroi Toshkovski.

Për informacion është kontaktuar edhe burgu i Idrizovës, por nga institucioni është kërkuar identiteti i personit konkret për të cilin kërkoheshin të dhëna. Duke qenë se kërkesa ishte bazuar vetëm në deklaratën e ministrit dhe nuk kishte një emër konkret, nga burgu nuk është marrë përgjigje zyrtare.

Përgjigje, sipas informacionit të publikuar, nuk është marrë as nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Ngjarja e armatosur ndodhi tre netë më parë, rreth orës 23:30, pranë një udhëkryqi në Çair, në lagjen Duqanxhik, në afërsi të stacionit policor në Bit Pazar.

Sipas informacioneve të deritanishme, një grup prej pesë personash ndodhej në vendin e ngjarjes kur dy persona të tjerë, të cilët lëviznin me motoçikletë, iu afruan dhe qëlluan me armë zjarri. Pas të shtënave, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.

Nga të shtënat u qëllua 26-vjeçari Amir Murati nga Shkupi, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur.

Hetimi për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë po vazhdon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit