Komuna të ndryshme italiane me komunitete arbëreshe kanë shprehur së fundmi interes për thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Dibrës. Në këtë kuadër, një delegacion i lartë nga Komuna e Vakaricit në Itali vizitoi Dibrën, ku zhvilloi takim me delegacionin e Komunës së Dibrës, të kryesuar nga kryetari Fisnik Mela.
Mela bëri të ditur se në takim ka pritur delegacionin e arbëreshëve nga Vakarici, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo.
“Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Gjithashtu, u shqyrtua mundësia që të fillojnë procedurat për binjakëzimin e dy komunave, si bazë për projekte dhe aktivitete të përbashkëta në të ardhmen”, deklaroi Mela.
Sipas tij, takimi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes Dibrës dhe Vakaricit. Gjatë takimit janë përcaktuar edhe afatet për aktivitetet e ardhshme, ndërsa pritet që së shpejti të nënshkruhet Memorandumi për binjakëzim.
Komuna e Dibrës deri më tani ka bashkëpunuar me disa komuna në Itali, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është me origjinë arbëreshe. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, grupe folklorike arbëreshe kanë marrë pjesë edhe në aktivitete të ndryshme kulturore në Dibër.
Me binjakëzimin e mundshëm të Dibrës dhe Vakaricit pritet të vendoset një bashkëpunim më i strukturuar dhe afatgjatë, me projekte të përbashkëta në kulturë, ruajtjen e trashëgimisë, turizëm dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë.






