Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot në Shkup iu drejtua Konferencës së Tretë Parlamentare të Nivelit të Lartë, e cila u kushtua bashkëpunimit rajonal dhe rolit të mbikëqyrjes efektive parlamentare në avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se rikthimi i politikës së zgjerimit në agjendën strategjike të Evropës paraqet një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë për të përshpejtuar reformat dhe për t’i shndërruar zotimet politike në rezultate konkrete dhe të matshme.
“Integrimi evropian nuk mund të udhëhiqet vetëm nga qeveritë”, tha Sali, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes aktive të Kuvendit në proces. Sipas tij, legjitimiteti demokratik, qëndrueshmëria dhe besueshmëria e rrugës drejt BE-së varen edhe nga roli që luan parlamenti në mbikëqyrjen e reformave.
Sali theksoi se mbikëqyrja efektive parlamentare është e rëndësishme për monitorimin e zbatimit të reformave, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies institucionale. Ai shtoi se Kuvendi duhet të ketë rol aktiv në monitorimin e zotimeve reformuese, identifikimin e vonesave dhe kërkimin e rezultateve konkrete nga institucionet.
Në konferencë, ministri vuri në dukje edhe rëndësinë e krijimit të një konsensusi të gjerë politik për integrimin evropian, duke theksuar se perspektiva evropiane e vendit duhet të tejkalojë ciklet zgjedhore dhe interesat partiake.
Një pjesë e fjalimit të tij iu kushtua bashkëpunimit parlamentar në Ballkanin Perëndimor dhe diplomacisë parlamentare, të cilat, sipas tij, janë të rëndësishme për ndërtimin e besimit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sali theksoi se Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit transparent dhe të strukturuar me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e fuqishme kur mbështetet nga Kuvende të fuqizuara, institucione të përgjegjshme dhe qytetarë të mirëinformuar”, deklaroi Sali.






