Sot jemi në Shtip për shumë punë të mira. E para ishte fillimi zyrtar i instalimit të parkut me erë. Bëhet fjalë për një investim me vlerë që, kur të përfundojë në të tri fazat – ndërsa pres që të përfundojë, përkatësisht të nisë edhe faza e tretë në fillim të vitit të ardhshëm – do të jetë me vlerë mbi gjysmë miliard dollarë amerikanë. Siç dëgjuat edhe në atë ngjarje nga vetë investitori, ky nuk është projekti i parë dhe i fundit, por do të vijojnë edhe projekte të tjera në të cilat ata janë të interesuar të investojnë.
Pastaj, ky është projekti i dytë që sot zyrtarisht e lëshojmë për përdorim. Bëhet fjalë për këtë qendër sportive, për këtë sallë sportive e cila do të jetë shtëpi – jam i bindur – shumë sportistëve që do ta përfaqësojnë Maqedoninë, e shumë fëmijëve që do të rriten për t’u bërë përfaqësues të ardhshëm.
Diçka që i duhej qytetit. Këtë projekt e filluam që në fillim të mandatit të kësaj Qeverie dhe ja, më në fund po e përfundojmë dhe po e vëmë në funksion.
Ndërsa ajo që, do të thosha, si një ngjarje anësore, por jo më pak e rëndësishme, ishte nënshkrimi i sponsorizimit ndërmjet kompanisë “Alkazar Energy Partners” dhe Klubit të Basketbollit nga Shtipi.
Kështu që, kur ekziston sinergji ndërmjet biznesit, komunitetit lokal, qytetarëve dhe komunës, krijohen vepra të bukura.
Prandaj, mund të them edhe një herë se jam jashtëzakonisht i lumtur që sot në Shtip mora pjesë në këto ngjarje, ndërsa qytetarëve të Shtipit, të rinjve, sportistëve që janë nga ky qytet, u dëshiroj shumë suksese sportive dhe shumë fitore në këtë objekt sportiv, ndërsa ne, si Qeveri, vazhdojmë edhe në të ardhmen t’i përkushtohemi asaj që nënkupton realizimin e premtimeve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve.