Bosnja dëbon dy diplomatë serbë, përshkallëzohen tensionet me Serbinë

Advertisement

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar të martën se qeveria ka vendosur dëbimin nga vendi të dy diplomatëve serbë, të cilëve u është dhënë afat prej 48 orësh për t’u larguar.

Diplomatët e shpallur persona të padëshiruar janë Milan Dulanoviq dhe Danko Maksimoviq, këshilltarë në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.

Gjithashtu, Bosnja ka vendosur të tërheqë pëlqimin për Deklaratën e përbashkët për marrëdhëniet ndërfqinjësore, e cila ishte planifikuar të nënshkruhej më 1 tetor në Mal të Zi.

Një ditë më parë, Bosnja kishte vendosur të tërhiqte shumicën e stafit të Ambasadës së saj në Beograd. Konakoviq bëri të ditur se në kryeqytetin serb mund të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi për emërimin dhe shkarkimin e tyre vendos Presidenca e Bosnjës.

Pjesa tjetër e stafit diplomatik do të tërhiqet, ndërsa shërbimet konsullore pritet të transferohen në ambasadat e Bosnjë e Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë.

Konakoviq e arsyetoi vendimin me zhvillimet në Serbi pas vdekjes dhe varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, duke përmendur ceremoninë e varrimit, aktivitetet përkujtimore dhe mesazhet publike të shfaqura pas vdekjes së tij.

“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, deklaroi Konakoviq.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit