Një hartë e publikuar nga presidenti amerikan Donald Trump në rrjetin e tij social “Truth Social” ka shkaktuar reagime të forta në Islandë.
Në hartë, Islanda, Kanadaja, Groenlanda, Meksika dhe Kuba paraqiten nën flamurin e Shteteve të Bashkuara, sikur të ishin pjesë e territorit amerikan. Trump nuk ka dhënë asnjë shpjegim për publikimin.
Ministria e Jashtme e Islandës e ka cilësuar hartën si “plotësisht të papërshtatshme”, ndërsa ministrja e Jashtme, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir, ka thirrur ambasadorin amerikan për t’i përcjellë shqetësimin e qeverisë.
Publikimi ka shkaktuar reagime edhe në Meksikë. Presidentja Claudia Sheinbaum deklaroi se vendi i saj “nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë koloni apo territor” i një shteti tjetër.
Harta vjen në një kohë kur Trump ka përsëritur deklaratat për zgjerimin territorial të SHBA-së, përfshirë idenë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të amerikan dhe që Groenlanda të kalojë nën kontrollin e SHBA-së.
Këto pretendime janë kundërshtuar më herët nga Danimarka dhe Groenlanda, ndërsa reagimi i fundit i Islandës tregon se publikimi i hartës ka hapur sërish debat për ambiciet territoriale të presidentit amerikan.






