Urimi i Presidentes Dr. Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë

Advertisement

Të nderuar qytetarë,
Para 35 vitesh përjetuam Ilindenin tonë të tretë, agimin në të cilin ëndrra shekullore për një shtet maqedonas të lirë dhe të pavarur më në fund u bë realitet. Me referendumin historik të 8 shtatorit 1991, ne, qytetarët e Maqedonisë, e përmbyllëm veprën e ilindenasve dhe të asnomistëve, duke krijuar shtëpinë tonë kombëtare dhe të përbashkët qytetare, pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare.
Sot, me mirënjohje dhe respekt të thellë, kujtojmë të vërtetën historike se arritja më e madhe dhe më e rëndësishme për një popull është të ketë shtetin e vet, sovran dhe demokratik, i cili do ta mbrojë lirinë, identitetin dhe dinjitetin e tij dhe do të punojë për prosperitetin e tij. Tani, vetëm nga ne varet mbijetesa dhe e ardhmja e tij.
Edhe pse është shpallur përgjithmonë, shteti i pavarur nuk është një e kaluar e përfunduar, por një e tashme që duhet të zgjasë përgjithmonë. Ai filloi me vendimin e referendumit si një detyrë e rëndësishme e përditshme dhe e pandërprerë për çdo gjeneratë, për ta ruajtur, ndërtuar dhe zhvilluar më tej.
Pavarësia e Maqedonisë mbështetet në tre shtylla: e para është besimi i çdo qytetari te shteti i vet dhe te kapaciteti i institucioneve të tij për t’i mbrojtur të drejtat, për të siguruar drejtësi dhe për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë; e dyta është besimi i ndërsjellë mes nesh, qytetarëve, si një fije njerëzore që na mban së bashku, pavarësisht dallimeve etnike, fetare, gjuhësore apo të çdo lloji tjetër; ndërsa e treta është – besimi i pashtershëm, i sinqertë dhe i palëkundur në të ardhmen e Maqedonisë.
Në frymën festive dhe optimiste, dua të kujtoj se faqet e së kaluarës dhe të së tashmes sonë shënojnë suksese të shumta në shumë fusha. Kemi ndërtuar institucione funksionale dhe kemi zhvilluar ndërgjegjësimin për të mirën e përbashkët dhe interesin shtetëror e kombëtar. Kemi krijuar një ushtri anëtare të NATO-s që garanton sigurinë tonë. Kemi zhvilluar dhe vazhdojmë të zhvillojmë një ekonomi rezistuese ndaj presioneve dhe të hapur ndaj tregjeve botërore. Kemi fituar miq dhe partnerë strategjikë që na mbështesin në rrugën e gjatë dhe me pengesa drejt Evropës. Kemi një vetëdije të qartë për përkatësinë evropiane dhe një qëllim strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Teksa festojmë këtë ditë të madhe, edhe një herë konstatojmë se gjatë tre dekadave e gjysmë të kaluara jemi përballur me sprova të rënda, bllokada dhe standarde të dyfishta, të cilat kanë nxitur procese dhe probleme të padëshiruara të brendshme.
Një nga problemet më të mëdha është largimi i të rinjve në kërkim të një jete më të mirë. Me çdo largim këputet një fije në strukturën tonë, ndërsa çdo bankë e zbrazët shkolle është një kujtesë e heshtur se po humbasim ata që ishin dhe ende janë shpresa jonë më e madhe.
E vërteta e dhimbshme nuk duhet të na paralizojë, por duhet të na mobilizojë. Shteti nuk është vetëm një sistem institucionesh. Njerëzit janë shteti. Kemi përgjegjësi ndërgjeneracionale për t’i përfunduar detyrat urgjente: ta çrrënjosim kriminalitetin dhe korrupsionin, të vendosim sundim të pakompromis të ligjit dhe të ndërtojmë një shoqëri paqësore dhe të drejtë, me qytetarë të barabartë dhe të trajtuar në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë apo të tjerë.
Amaneti i ASNOM-it na mëson: „ÇFARË MAQEDONIE DO TË NDËRTOJMË, TË TILLË DO TA KEMI.“ Askush tjetër nuk do të na e rregullojë shtëpinë përveç nesh!
Më shumë se kurrë më parë, sot kemi nevojë për shpresë proaktive dhe konstruktive, për besimin se me forcat tona mundemi dhe duhet t’i bëjmë gjërat më mirë. Vizioni ynë është një shtet i qëndrueshëm, i përparuar dhe evropian, por mbi të gjitha, një atdhe ku të rinjtë nuk do të bëjnë valixhet për t’u larguar, por këtu do të krijojnë familje dhe do të ndërtojnë të ardhmen.
Është koha për t’i relativizuar gjeografinë dhe kufijtë dhe për t’u lidhur më thellë me diasporën tonë, për t’i bashkuar të gjithë njerëzit e mençur, kreativë dhe të guximshëm me prejardhje maqedonase në ndërtimin e atdheut si një shtëpi e përbashkët, e denjë, dinjitoze dhe prosperuese.
Me krenari dhe gëzim të veçantë, ju uroj festën e madhe të 8 Shtatorit, ditën kur qytetarët e Maqedonisë, me guxim dhe përgjegjësi, përmbushën amanetin e ilindenasve dhe asnomistëve dhe, në mënyrë demokratike, përmes referendumit, me një shumicë dërrmuese u deklaruan për SHTETIN SOVRAN DHE TË PAVARUR TË MAQEDONISË!

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit