Ka ndërruar jetë Daim Hiseni, veteran i luftërave të UÇK-së dhe kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (SHVL-UÇK) në Maqedoninë e Veriut.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar pikëllim te familjarët, miqtë, bashkëluftëtarët dhe shumë të tjerë që e njohën gjatë angazhimit të tij publik e shoqëror. Hiseni kujtohet për kontributin e tij në çështjen kombëtare, si dhe për pjesëmarrjen në radhët e UÇK-së në Betejën e Koshares dhe në Zonën e Karadakut gjatë konfliktit të vitit 2001.
Daim Hiseni për vite me radhë ishte i angazhuar në strukturat e shoqatave të dala nga lufta, duke qenë një zë i vazhdueshëm në mbrojtje dhe promovim të vlerave të luftës. Ai gjithashtu ishte aktiv në jetën publike dhe shoqërore në vend.
Lajmin për ceremoninë e varrimit e kanë bërë të ditur familjarët.
“Namazi i xhenazes do të falet pas namazit të ikindisë në Xhaminë e Jahja Pashës, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e fshatit Kopanicë”, thuhet në njoftimin e familjes.
Ndarja nga jeta e Daim Hisenit shënon humbjen e një prej figurave të njohura të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.






