Udhëtarët që hyjnë në Bashkimin Evropian mund të përballen me pritje më të gjata në kufi, pasi më 6 shtator përfundon periudha e fleksibilitetit për zbatimin e sistemit të hyrje-daljeve, EES.
Sistemi parashikon regjistrimin e shtetasve të vendeve jashtë BE-së, përfshirë marrjen e fotografisë dhe gjurmëve të gishtërinjve.
Megjithatë, disa shtete anëtare ende nuk pritet t’i zbatojnë plotësisht kontrollet biometrike për shkak të problemeve teknike dhe vonesave në përgatitjen e infrastrukturës.
Linjat ajrore dhe operatorët turistikë paralajmërojnë se zbatimi i plotë i EES mund të rrisë ndjeshëm kohën e pritjes, veçanërisht në aeroportet dhe pikat kufitare më të ngarkuara.
Komisioni Evropian ka deklaruar se po bashkëpunon me shtetet anëtare për të zgjidhur problemet e mbetura, por deri tani nuk ka njoftuar zgjatjen e periudhës së fleksibilitetit përtej 6 shtatorit.






