Një person me inicialet D.C. është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, pasi është kapur në flagrancë duke pranuar para të shënuara më parë nga institucionet.
Sipas njoftimit, më 4 shtator, i dyshuari është kapur gjatë dorëzimit të 500 eurove, si pjesë e shumës prej 1 mijë e 500 eurosh që kishte kërkuar si shpërblim.
Personi në momentin e veprës ka punuar si shofer për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, ndërsa më herët kishte krijuar marrëdhënie pune në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim me shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa nga Qeveria thonë se rasti është pjesë e angazhimit për luftë të pakompromis kundër korrupsionit.
Nga Qeveria theksojnë se ligjet vlejnë për të gjithë dhe se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve mundëson zbatimin e drejtësisë.






