Qeveria ka miratuar Propozimligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Prokurimet Publike, me të cilin synohet modernizimi i mëtejshëm i sistemit, rritja e transparencës dhe konkurrencës, si dhe përdorimi më efikas i mjeteve publike, njoftoi Ministria e Financave (MF).
Sipas MF-së, ndryshimet janë rezultat i përvojave të deritanishme në zbatimin e Ligjit për Prokurimet Publike, nevojës për përshtatjen e tij me kushtet aktuale ekonomike, si dhe prioriteteve reformuese të përcaktuara në Agjendën Reformuese dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në kuadër të Agjendës Reformuese. Në këtë drejtim, parashikohet përmirësimi i mëtejshëm i Tregut elektronik të prokurimeve me vlerë të ulët, me qëllim rritjen e përdorimit të tij dhe forcimin e konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë.
MF thekson se kjo masë është pjesë e aktiviteteve reformuese të planifikuara për vitin 2026.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që gjatë përzgjedhjes së ofertës më të favorshme të zbatohet detyrimisht kriteri “raporti më i mirë ndërmjet çmimit dhe cilësisë”. Ky kriter është përcaktuar si një nga aktivitetet kryesore të Agjendës Reformuese për vitin 2027.
Në këtë mënyrë, institucionet nuk do të fokusohen automatikisht vetëm te oferta me çmimin më të ulët, por do të marrin parasysh edhe cilësinë, vlerën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ofertave.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe forcimin e digjitalizimit të prokurimit publik. Gjithashtu, zgjerohen kompetencat e Byrosë së Prokurimeve Publike për përdorimin e mjeteve dhe zgjidhjeve moderne digjitale, me qëllim monitorimin më efikas të procedurave, identifikimin e rreziqeve dhe parandalimin e keqpërdorimeve dhe praktikave korruptive.
Njëkohësisht, krijohet bazë ligjore për ofrimin e shërbimeve online dhe shkëmbimin automatik të të dhënave me institucione të tjera dhe subjektet përkatëse.






