Maqedonia kryeson në rajon për shpenzimet familjare për ushqim, mbi 40 për qind e buxhetit

Advertisement

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në janar të vitit 2026, rreth 46 për qind e konsumit të përgjithshëm të familjeve në Bashkimin Evropian (BE) është përqendruar në tri kategori kryesore: ushqim dhe pije joalkoolike, banim, ujë dhe energji, si dhe transport.

Të tria këto kategori kanë regjistruar rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë viteve të fundit.

Ushqimi përbën shpenzimin më të madh të familjeve në BE, me 16,28 për qind të totalit të shpenzimeve. Në Kroaci, kjo përqindje arrin në 21,76 për qind. Ndërkohë, banimi, uji dhe energjia zënë 14,87 për qind të shpenzimeve në BE, ndërsa në Kroaci 10,95 për qind, duke u renditur në vendin e katërt.

Transporti është kategoria e tretë më e madhe e shpenzimeve si në BE, ashtu edhe në Kroaci, me 12,25 për qind. Në Kroaci, në vendin e dytë renditen restorantet dhe shërbimet e akomodimit.

Dallime të mëdha vërehen edhe sa i përket pjesës së buxhetit që familjet shpenzojnë për ushqim në vende të ndryshme.

Zvicra ka përqindjen më të ulët të shpenzimeve familjare për ushqim, me 10,35 për qind, e ndjekur nga Austria me 11,84 për qind dhe Luksemburgu me 12,21 për qind.

Në anën tjetër, përqindjen më të lartë e ka Maqedonia e Veriut. Sipas të dhënave, 40,11 për qind e shpenzimeve të familjeve në vend shkojnë për ushqim.

Pas Maqedonisë së Veriut renditet Shqipëria me 34,46 për qind, ndërsa Kosova me 32,75 për qind. Në mesin e vendeve anëtare të BE-së, përqindjen më të lartë e ka Rumania, me 27,41 për qind.

Të dhënat janë publikuar nga Forbes Hrvatska, bazuar në të dhënat e Eurostat-it.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit