Poetja Besa Amzai ka reaguar pas debateve të shumta në opinion rreth shkollave.
Duke komentuar gjendjen momentale të Shkollës së Pohumit, ajo ka pyetur publikisht politikanët nëse do i dërgonin fëmijët e tyre në atë shkollë!
Ja shkrimi i plotë i poetes Besa Amzai:
Po bëhen kritika pse u mbyll shkolla e Pohumit. Fajin ua hedhin këshilltarëve, bëjnë zhurmë, ngrihen portalet… Jo, mo jo.
Ajo shkollë ishte në gjendje horror. Po binte. Nevojtoret ishin jashtë shkollës, e mbuluar nga ferrat, me gjarpërinj përreth. Një fëmijë duhej të dilte nga shkolla për të shkuar në nevojtore. Dhe sot pyesin: pse u mbyll?
Po ju pyes unë: do ta çonit fëmijën tuaj aty?
Atëherë ku ishit kur ajo shkollë kishte mbetur në atë gjendje? Ku ishin portalet, kamerat, “analizat” dhe zërat tuaj të shqetësuar? Pse nuk e nxorët mjerimin e asaj shkolle atëherë, kur duhej të flitej për fëmijët?
Fëmijët e Pohumit dhe të fshatrave të tjera janë “punë e madhe fort” vetëm tani që çështja mund të kthehet në kapital partiak. Fëmijët kanë rëndësi.
Sepse raste kur prindërit i çojnë fëmijët në Strugë për shkollim ka plot. Pse nuk u fol për këtë asnjëherë?
Fëmijët ikin për një dritë, për ujë, për një rrugë, për një shkollë që rrezikon fëmijën. Për këto duhet të ankoheni. Me emra, me fakte dhe me kërkesa konkrete.
Jo të kujtoheni për ta vetëm kur ju leverdis politikisht.
Kjo nuk është shqetësim për fëmijët. Kjo është hipokrizi.