Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, nënshkroi memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Çairit dhe Universitetit “Nënë Tereza”, me qëllim bashkimin e ekspertizës profesionale dhe kapaciteteve institucionale në funksion të shëndetit dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.
Në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, në shkollat fillore të komunës do të organizohen ligjërata dhe aktivitete profesionale për nxënësit, me fokus në qëndrimin e drejtë të trupit, mbajtjen e duhur të çantës shkollore dhe rëndësinë e aktivitetit fizik për shëndetin dhe zhvillimin e tyre.
“Duam që kujdesi për shëndetin e fëmijëve të nisë para se të shfaqet problemi. Krahas dijes që marrin në bankat shkollore, është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë edhe si të kujdesen për veten dhe shëndetin e tyre gjatë rritjes. Përmes bashkëpunimit me Universitetin ‘Nënë Tereza’, dijen profesionale po e sjellim drejtpërdrejt në shkollat tona, sepse investimi më i mirë në shëndet është ai që bëhet në kohë,” deklaroi Mexhiti.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet forcimi i edukimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit që në moshë të hershme, duke e vendosur parandalimin dhe mirëqenien e fëmijëve në qendër të aktiviteteve.






