Komunat në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit zgjedhor 2025 kanë ndarë mbi 4 milionë euro për subvencione dhe forma të ndryshme të ndihmës financiare për qytetarët, tregon një hulumtim i Qendrës për Komunikime Qytetare.
Sipas të dhënave të publikuara, 63 komuna kanë shpenzuar gjithsej 4.056.482 euro për këto masa, që është gati 1 milion euro më shumë se në vitin 2024. Ndihma është shpërndarë në mbi 92 kategori të ndryshme, ndërsa shumat individuale kanë arritur deri në 100.000 denarë për martesë dhe 200.000 denarë për fasadë.
Në total, nga programet komunale të ndihmës financiare kanë përfituar 58.290 qytetarë.
Për nga numri i përfituesve, në krye janë komunat Gazi Babë dhe Kisella Vodë, ku mbështetja ka përfshirë më shumë se 10.000 qytetarë në secilën komunë. Ndërkaq, më shumë mjete kanë ndarë komunat e Shkupit, Aerodromi dhe Qendër, me mbi 500.000 euro secila.
Raporti vëren edhe dallime të konsiderueshme në shumën e ndihmës për kategori të njëjta. Për foshnjat e porsalindura, për shembull, komunat kanë ndarë nga 3.000 deri në 30.000 denarë, ndërsa për nxënësit e klasës së parë ndihma ka qenë nga 2.000 deri në 8.000 denarë.
Nga Qendra për Komunikime Qytetare theksojnë se komunat kanë rregulla, procedura dhe kritere të ndryshme për ndarjen e këtyre mjeteve, duke ngritur pikëpyetje nëse pushtetet lokale kanë kompetencat e duhura për zbatimin e formave të tilla të ndihmës financiare.






