Në orët e hershme të mëngjesit të 1 shtatorit 2026, në Londër ka ndërruar jetë historiani, gazetari, studiuesi dhe publicisti i njohur shqiptar, Dr. Daut Dauti, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.
Pavarësisht trajtimit dhe kujdesit të vazhdueshëm mjekësor, sëmundja nuk mundi të mposhtej. Me vdekjen e tij, familja humbi një bashkëshort, baba dhe gjysh të dashur, ndërsa gazetaria, kultura dhe historiografia shqiptare humbën një studiues me kontribut të rëndësishëm.
Dr. Daut Dauti lindi në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit, me të cilin mbeti i lidhur gjatë gjithë jetës. Edhe pse veprimtarinë profesionale e zhvilloi kryesisht në Prishtinë dhe Londër, vendlindja mbeti për të një burim i rëndësishëm kujtimesh dhe frymëzimi.
Pikërisht këtë vit, ai botoi edhe një libër me tregime dhe kujtime kushtuar vendlindjes, duke dokumentuar lidhjen e tij të veçantë me Kokajn.
Shkollën fillore e kreu në Prishtinë, ndërsa gjimnazin në Gjilan. Studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Dauti ishte pjesë e një brezi intelektualësh shqiptarë që gazetarinë e shihnin edhe si përgjegjësi publike. Shkrimet e para i botoi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi bashkëpunimin me revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri në vitin 1999 ishte korrespondent i saj në Londër.
Gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR) në Londër dhe kontribuoi në themelimin e zyrës së këtij instituti në Prishtinë.
Nga viti 2000 deri në fillim të vitit 2002 ishte Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, ndërsa në të njëjtën periudhë shërbeu edhe si anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Veprimtaria e tij profesionale u shtri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2002 qëndroi në Kettering Foundation në Dayton, ku zhvilloi kërkime në fushën e medias dhe demokracisë, duke vazhduar më pas bashkëpunimin si International Fellow.
Në vitin 2005, Dauti punoi si këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Bajram Kosumi. Në Londër ishte i angazhuar edhe pranë International Organization for Migration (IOM), si dhe bashkëpunoi me organizata dhe institucione ndërkombëtare në fushën e informimit dhe çështjeve të Ballkanit.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me historiografinë. Në University of Leeds, në Shkollën e Historisë, Dauti kreu hulumtime shumëvjeçare mbi politikën britanike dhe çështjen shqiptare, ku edhe mbrojti doktoraturën me temën “The British Foreign Policy and the Albanian Question 1876–1914”.
Studimet e tij mbi dokumentacionin diplomatik britanik sollën burime dhe këndvështrime të rëndësishme për historiografinë shqiptare, veçanërisht për periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe zhvillimin e çështjes shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Ai ishte autor i disa librave dhe studimeve, ndër të cilat “Reflektime Shqiptaro-Britanike”, “Lufta për Trepçën”, “Unioni Evropian – Nga Ideja në Realitet”, “Building an Independent Media in Kosova – Ngritja e mediave të pavarura në Kosovë”, “Assemblies and Ancient Deliberation According to the Code of Lekë Dukagjini” dhe “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike, 1877–1880”.
Përveç veprave të botuara, Dauti la pas një numër të madh artikujsh, analizash dhe punimesh shkencore të publikuara në Kosovë, Britani të Madhe dhe vende të tjera.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, ai u shqua për analizat dhe studimet mbi historinë, politikën, median dhe çështjen shqiptare. Për bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, Dauti ishte një intelektual i përkushtuar, bashkëbisedues dhe njeri që e ndante dijen me të tjerët.
Pas vetes la bashkëshorten, vajzën, dy djemtë, një nip dhe një mbesë, familjarët, miqtë dhe kolegët, si dhe një trashëgimi të rëndësishme intelektuale.
Sipas dëshirës së tij dhe lidhjes së veçantë me vendlindjen, Dr. Daut Dauti do të varroset në Kokaj të Gjilanit.
Kujtimi për veprimtarinë dhe kontributin e tij në gazetari, historiografi dhe publicistikë do të mbetet përmes librave, studimeve dhe shkrimeve që la pas.
Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të Dr. Daut Dautit.






