Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka ngritur pikëpyetje lidhur me projektin për ndërtimin e qendrave të të dhënave në Maqedoni, duke kërkuar më shumë informacione për ndikimin e tyre të mundshëm në energjinë elektrike, furnizimin me ujë dhe mjedisin.
Filipçe e ka cilësuar si “spin dhe defokus” mënyrën se si, sipas tij, kryeministri Hristijan Mickoski e paraqet projektin e qendrave të të dhënave si një mundësi zhvillimore për vendin.
“Çfarë përfitimi do të kenë qytetarët nga qendrat e të dhënave? A kemi kapacitet të mjaftueshëm të energjisë elektrike për këto qendra? A do të ndikojë kërkesa e tyre në furnizimin me energji në rajonin ku do të ndërtohen dhe çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë?”, ka pyetur Filipçe.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me përdorimin e ujit dhe ndikimin e mundshëm në burimet ujore dhe bujqësi, duke kërkuar sqarime për mënyrën se si do të menaxhohen këto burime.
Një tjetër çështje që Filipçe e ka vënë në fokus është mundësia e rritjes së nevojës për import të energjisë elektrike, duke pretenduar se kapacitetet vendore të prodhimit nuk po shfrytëzohen në masën e nevojshme.
“Do të ketë nevojë të shtuar për energji elektrike të importuar? Unë mendoj se kjo është një nga çështjet kryesore”, ka deklaruar Filipçe.
Kryetari i LSDM-së ka kërkuar gjithashtu sqarime lidhur me marrëdhëniet dhe interesat e mundshme në tregtinë me energjinë elektrike, duke përmendur edhe konsullin e sapoemëruar, Dushan Adamoviq, për të cilin ka kërkuar më shumë informacion rreth veprimtarisë së tij profesionale.
Filipçe ka kërkuar që institucionet të japin përgjigje konkrete për ndikimin e qendrave të të dhënave në sistemin energjetik, burimet ujore dhe interesin publik.






