Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, u ka bërë apel prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, me qëllim parandalimin e një epidemie të mundshme në vend.
Apeli i autoriteteve shëndetësore vjen në kohën kur është shënuar rritje e rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari. Klekovski theksoi se, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, përfshirja me vaksinën MRP aktualisht është vetëm 62 për qind.
“Dua t’u bëj apel të gjithëve që t’i qasen më me përkushtim vaksinimit kundër fruthit. Këtë e them sepse aktualisht po rritet numri i rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari”, tha Klekovski në konferencën për media.
Ai paralajmëroi se gjatë ditëve dhe javëve në vijim do të ndërmerren një sërë aktivitetesh për të motivuar prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët dhe për të rritur përfshirjen në imunizim.
Sipas raportit për vitin 2025, asnjëra nga vaksinat e kalendarit të rregullt, për dozën e parë, nuk ka arritur nivelin e rekomanduar prej 95 për qind të mbulimit.
Udhëheqësi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Dragan Koçinski, tha se për vaksinën kundër hepatitit B përfshirja është 77 për qind, për Haemophilus influenzae 78 për qind, ndërsa për difterinë, tetanosin dhe pertusisin 79 për qind. Po ashtu, 79 për qind është mbulimi me vaksinën kundër poliomielitit, ndërsa për MRP-në është 62 për qind.
Për vaksinën HPV, përfshirja është 51 për qind, ndërsa për vaksinat kundër rotavirusit dhe pneumokokut është 64, respektivisht 80 për qind.
Koçinski theksoi se edhe pse për rivaksinimin situata është më e mirë, kjo ende nuk është e mjaftueshme për krijimin e imunitetit kolektiv. Sipas tij, nevojitet të arrihet të paktën 95 për qind mbulim, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.
“Për momentin nuk ka epidemi në Maqedoni, por duke qenë se kemi epidemi në vendet fqinje, ne tashmë po përgatitemi dhe po planifikohen aktivitete për motivimin e prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre”, deklaroi Koçinski.
Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendrat e Shëndetit Publik vazhdojnë me aktivitetet për rritjen e imunizimit, përfshirë kontrollet në pikat e vaksinimit, identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, vizitat në shkolla dhe edukimin e prindërve.
Autoritetet shëndetësore gjithashtu bëjnë të ditur se aktualisht ka sasi të mjaftueshme të vaksinave.






