Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka vizituar Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, ku së bashku me drejtorin e shkollës, Muhamet Zeqiri, ka pritur nxënësit e klasave të para në ditën e tyre të parë të shkollës.
Sulejmani u ka uruar nxënësve dhe prindërve një fillim të mbarë të vitit shkollor, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për fëmijët që për herë të parë nisin rrugëtimin e tyre në arsim.
Sipas tij, këtë vit shkolla “Naim Frashëri” i pret nxënësit me kushte më të mira, falë një donacioni nga Arben Ademi dhe Shoqata Humanitare “Swiss Barakah”.
“Për këtë kontribut të çmuar dhe për zemërgjerësinë e treguar ndaj nxënësve dhe arsimit, i falënderoj përzemërsisht”, ka deklaruar Sulejmani.
Ai gjithashtu ka theksuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë masat e nevojshme për një fillim të organizuar të vitit shkollor. Sipas tij, për të tretin vit radhazi është siguruar shpërndarja në kohë e librave shkollorë, ndërsa janë krijuar edhe kushtet e nevojshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në fund, Sulejmani u ka uruar nxënësve një vit të suksesshëm, të mbushur me dije, punë dhe arritje të reja, ndërsa stafit mësimor dhe menaxhmentit të shkollës u ka uruar punë të mbarë.






