Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rekord sa i përket numrit të udhëtarëve, me mbi 1.7 milion pasagjerë të përpunuar vetëm gjatë muajit gusht.
Shifrën e ka bërë publike ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili e ka cilësuar këtë rritje si tregues të interesit të lartë për Shqipërinë dhe si mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe ekonomisë.
“1 milion e 717 mijë pasagjerë vetëm gjatë muajit gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Një shifër që flet qartë për Shqipërinë turistike që po konsolidojmë dhe për interesin gjithnjë e më të madh të vizitorëve të huaj për vendin tonë”, ka deklaruar Gonxhja.
Sipas ministrit, më 17 gusht është regjistruar edhe një rekord ditor, me mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime.
Gonxhja ka bërë të ditur se gjatë korrikut aeroporti ka përpunuar afro 1.65 milion pasagjerë, që përbën një rritje prej 28.1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ai ka theksuar se rritja e numrit të udhëtarëve dhe lidhjeve ajrore ndikon edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, si transporti, akomodimi, gastronomia dhe shërbimet.
Sipas tij, kjo ecuri sjell edhe përgjegjësinë për zhvillimin e një turizmi cilësor, të qëndrueshëm dhe gjatë gjithë vitit, në mënyrë që rritja e numrit të vizitorëve të përkthehet në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për komunitetet lokale.






