Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste në Vlorë.
Ismaili e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se drejtimi i strukturës së PS-së në Vlorë ka qenë për të një privilegj dhe përgjegjësi.
Ajo ka bërë të ditur se ka mbajtur këtë detyrë për një vit e tre muaj, ndërsa dorëheqjen e saj e ka lidhur me fazën e fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste.
Sipas Ismailit, largimi nga detyra i hap rrugë procesit demokratik për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të PS-së në Vlorë.
“Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama”, ka shkruar ajo.
Ismaili ka falënderuar anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e partisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë periudhës së saj në këtë detyrë.






