Një material i ri i bazuar në diamant, i cili ruan fortësinë e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht është shumë më rezistent ndaj thyerjes, është krijuar nga shkencëtarët kinezë. Zbulimi mund të hapë rrugën për përdorime të reja në industrinë aeronautike dhe sektorë të tjerë që kërkojnë materiale superrezistente.
Studiues nga Akademia Kineze e Shkencave dhe Universiteti Beihang kanë zhvilluar një strukturë që arrin një rezistencë ndaj thyerjes rreth pesë herë më të lartë se diamanti monokristalin. Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore “Nature Synthesis”.
Sekreti qëndron te nanotubat e karbonit me shumë mure, të njohur si MWCNT. Këto struktura mikroskopike janë ndërthurur me kokrrizat e diamantit, duke krijuar një rrjet që përforcon pjesët më të dobëta të materialit.
Nanotubat ndihmojnë në devijimin e çarjeve, shpërndarjen e tensionit dhe përthithjen e një pjese të energjisë së goditjeve. Në këtë mënyrë, një çarje pengohet të përhapet me shpejtësi dhe të copëtojë materialin.
Prodhimi i “superdiamantit” kërkon kushte ekstreme. Shkencëtarët përzien pluhur diamanti me nanotuba karboni dhe e ekspozuan përzierjen ndaj temperaturave pranë 2,000 gradë Celsius dhe presionit rreth 15 gigapaskalë. Procesi mundësoi bashkimin e materialeve pa i shndërruar plotësisht nanotubat në grafit.
Sipas studiuesve, materiali i ri mund të tejkalojë në rezistencë ndaj thyerjes edhe disa lidhje të tungstenit.
Zbulimi shihet si veçanërisht premtues për industrinë aeronautike, ku komponentët dhe mjetet duhet t’u rezistojnë forcave të mëdha, temperaturave të larta dhe kushteve ekstreme. Teknologjia mund të përdoret gjithashtu për zhvillimin e materialeve super të forta dhe qeramikave të përbëra.






