Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij, duke mposhtur me nokaut në raundin e dytë norvegjezin Thomas Narmo, i cili deri në këtë përballje ishte i pamposhtur.
Hysa triumfoi në duelin e zhvilluar në O2 Arena të Londrës, në një mbrëmje të veçantë për boksierin shqiptar. Pas fitores, ai festoi së bashku me tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë.
Narmo u nokautua vetëm 36 sekonda pas fillimit të raundit të dytë dhe pas goditjes mori edhe oksigjen.
Pas triumfit, Hysa reagoi përmes një mesazhi emocionues, duke theksuar se kjo fitore është edhe e tifozëve shqiptarë që e mbështetën në Londër.
“Një natë që nuk do ta harroj kurrë! Mbrëmë në një O2 Arena të mbushur me shqiptarë, realizuam një ëndërr të madhe. U shpalla Kampion i Globit, duke fituar me KO në raundin e dytë ndaj një kundërshtari të pamposhtur”, ka shkruar Hysa.
Ai falënderoi veçanërisht tifozët për mbështetjen dhe atmosferën e krijuar gjatë duelit.
“Por kjo fitore nuk është vetëm e imja. Kjo është e të gjithë shqiptarëve që ishin aty, që më mbështetën dhe që e bënë atmosferën magjike. Nga zemra, faleminderit!”, ka shtuar boksieri.
Hysa e përmbylli mesazhin duke paralajmëruar se synimet e tij vazhdojnë: “Ne sapo kemi filluar… The Albanian Eagle is flying high!”, ka shkruar ai.






