Shasivari: Tetova po i kthen premtimet në punë

Advertisement

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Jeton Shasivari, ka theksuar rëndësinë e punës konkrete dhe rezultateve në Tetovë, duke u ndalur te përmirësimi i kushteve për punëtorët dhe investimet në infrastrukturën sportive.

Shasivari ka përmendur situatën e punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Komunale, duke theksuar se pas më shumë se 15 vitesh ata tashmë kanë paga dhe kontribute të paguara.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm çështje financiare, por lidhet edhe me dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve që për vite me radhë kanë vazhduar t’u shërbejnë qytetarëve të Tetovës.

Në këtë drejtim, Shasivari i ka dhënë merita edhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për zgjidhjen e një problemi që, siç shprehet ai, ishte zvarritur për më shumë se një dekadë.

Ai është ndalur edhe te fillimi i punimeve për ndërtimin e terreneve multifunksionale sportive në Gjimnazin e Tetovës, duke theksuar rëndësinë e investimeve në hapësirat për të rinjtë.

“Kur investojmë në terrene sportive, nuk investojmë vetëm në infrastrukturë. Investojmë në shëndetin e fëmijëve tanë, në mirëqenien e tyre dhe në mundësitë që ata do të kenë nesër”, ka shkruar Shasivari.

Sipas tij, kujdesi për punëtorët dhe investimi te të rinjtë janë pjesë e ndërtimit të një Tetove që mendon për të ardhmen.

“Jo politikë që jeton vetëm nga fjalët. Jo projekte që mbeten në letra. Jo premtime që përsëriten nga një mandat në tjetrin. Por: Premtim. Punë. Rezultate”, ka theksuar Shasivari.

Në fund, ai ka porositur se Tetova duhet të vazhdojë të ecë përpara dhe të mos kënaqet me atë që ka qenë.

“Tetova meriton më shumë. Dhe Tetova mundet më shumë”, përfundon Shasivari.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit