Gjashtë milionë eurot që Qyteti i Shkupit i kishte marrë nga Qeveria gjatë qeverisjes së LSDM-BDI-së do të ridestinohen për ndërtimin e Bulevardit “Maqedonia”, bëhet e ditur nga Qyteti i Shkupit.
Gjatë mandateve të ish-kryetarit Petre Shilegov dhe më pas Danella Arsovskës, Qyteti i Shkupit kishte marrë nga tre milionë euro për rregullimin e kësaj pjese të qytetit.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se prioritet aktual është ndërtimi i nyjës rrugore në Momin Potok dhe zgjerimi i rrugës deri te kryqëzimi me rrugën “Slloveneçka”.
Sipas tyre, projekti aktualisht është në fazën e ndryshimeve, ndërsa si zgjidhje fillestare është parashikuar ndërtimi i një rrethrrotullimi pranë rrugës “Slloveneçka”.
“Si ekip i ri në Qytetin e Shkupit, konsiderojmë se projekti duhet t’u nënshtrohet disa ndryshimeve, me qëllim që të tejkalohen problemet nga e kaluara dhe të shmanget çdo improvizim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, një muaj më parë paralajmëroi se nyja rrugore në Momin Potok pritet të përfundojë deri në Vitin e Ri.






